STORY/Tezat për Kryengritjen në Shqipërinë e Mesme …
Përgatitur nga Xhafer Sadiku –
Tezat e Stefanaq Pollos: Përsa i përket kryengritjes të vitit 1914-1915 në Shqipërinë e mesme, në relacion ne kemi dhënë shpjegimet bazuar në dokumetat, duke thënë se kjo duhet konsideruar si një lëvizje antikombëtare.
Për këtë unë kam studjuar vet materialet dhe janë bërë edhe mjaft diskutime. Kur themi se kjo ka qenë një lëvizje antikombëtare mbështetemi në parrullat e tyre, të cilat ishin kundër interesave kombëtare të Shqipërisë. Përsa i përket pjesëmarrjes së fshatarësisë çeshtja duhet parë se sa i shërbente kjo revolucionit. Parrullat e hedhura nga kryengritësit për bashkimin me Turqinë ose që të sillnin një princ turk në Shqipëri, ishin kundër flamurit kombëtar dhe si e tillë nuk mund të konsiderohet si një lëvizje që mbron interesat kombëtare.
Në rastin tonë në udhëheqje të kësaj levizje ishin xhonturqit. Mundet që në fillim këta të kenë pasur kërkesa shoqërore, por këto janë aq të zbehta sa edhe aspektet politike. Ne i japim rëndësi më tepër aspekteve politike se sa atyre sociale, por edhe aspektet sociale janë mjaft të dobëta dhe këto i nënshtrohen vlerësimit që i është bërë kësaj levizje.
Përsa i përket çeshtjes së pakicave shqiptare, problemet historike janë trajtuar për ta gjer në vitin 1913. Në trajtimin e çeshtjes ne e konsiderojmë këtë pakicë që janë shqiptarë, kurse pas vitit 1913 nuk e trajtojmë çeshtjen e tyre, ashtu sikurse bëjmë edhe për Kosovën.
Teza e Ramiz Alisë
Përsa i përket lëvizjes fshatare të Haxhi Qamilit, unë mbetem me mendimin që kemi çfaqur, që tani për tani kjo të mos përcaktohet as në favor as kundër saj. Ky është një problem mjaft i komplikuar. Historia duhet bërë në bazë të dokumentave dhe roli i historianëve është që të mos i marrin ato sikurse janë, por t’i studjojnë thellë. Pugaçovi, psh., luftoi në Rusi kundër carit për një car më të mirë. Ne duhet të shikojmë sfondin e kësaj lëvizje duke marrë parasysh që ajo ishte drejtuar kundër Esat Toptanit, kundër Princ Vidit, italianëve, serbëve që është një anë pozitive.
Nga ana tjetër ne dimë se lëvizjet fshatare kanë në plan të parë çeshtjen e tokës, edhe këtë kjo e ka, pra edhe kjo është positive. Por këtu duhet thënë se ka pasur influence të huaja nga xhonturqit, po për këtë nuk mund të thuhet se lëvizja ka pasur karakter antikombëtar. Unë jam i mendimit që kjo çeshtje të mbetet e hapur, pa thënë as anët e mira as të këqijat, pa thënë që kjo është lëvizje antikombëtare etj.
SPIRO KOLEKA: Lidhur me vrejtjet e Drejtorisë së arsimit, përsa i përket lëvizjes fshatare të Haxhi Qamilit, edhe unë jam dakord që të mos e mbyllim me deklarata të prera. Pavarësisht që edhe këtu ka pasur intriga të mëdha, nuk mund të gjykosh vetëm në bazë të dokumentave që na kanë mbetur neve, prandaj kjo kohë të studjohet mirë, duke gjurmuar të dhënat më të rëndësishme dhe duke ndjekur njerëzit që sot janë të gjallë.
Çelësi kryesor për gjykimin e kësaj lëvizje është ajo që tha shoku Enver, që pas shpalljes së pavarësisë dhe ngritjes së flamurit në Vlorë, ne nuk patëm në Shqipëri qendrime kundër saj.
MANUSH MYFTIU: Unë jam i mendimit që lëvizja fshatare e Haxhi Qamilit të mos dalë absolutisht e prerë duke u thënë që ajo ka qenë antikombëtare ose progresive. Kjo lëvizje ka pasur element shoqërorë, por ka edhe moment politike që bien në flagrancë me momentet politike me rëndësi.
Në qoftë se Haxhi Qamili e ka filluar lëvizjen e tij nën influencën e xhonturqve, ai nuk ka shkuar pas tyre gjer në fund. Por ne kemi edhe sot që lufta antiimperialiste zhvillohet krahas me luftën antipopullore, që nuk është e lidhur me masat e popullit, ashti sikurse vepron Naseri. Prandaj jam dakord me Drejtorinë e arsimit që kjo çeshtje të formulohet në një mënyrë të tillë që të lihet rast studimit të mëvonshëm. Unë jam i mendimit se nuk mund të thuhet që kjo lëvizje është krejtësisht reaksionare.
HYSNI KAPO: Për lëvizjen fshatare të Haxhi Qamilit edhe unë jam i mendimit që shokët janë nxituar në hartimin e tekstit, duke nxjerrë të prerë se ajo ka qenë një lëvizje antikombëtare. Gjithnjë populli ynë ka luftuar për të fituar lirinë dhe indipendencën e tij dhe kur i është prekur kjo atëherë ai është ngritur në këmbë dhe ka luftuar.
Ky ka qenë qëllimi themelor i tij.
Ashtu sikurse tha shoku Enver, kur u bë shpallja e indipendencës së Shqipërisë, i gjithë populli ynë e priti atë si një ngajrje të madhe dhe s’ka pasur asnjë lëvizje kundër saj. Po të flasësh duke pasur parasysh këtë, lëvizja fshatare e Shqipërisë së mesme s’ka qenë për bashkimin me Turqinë, prandaj më duket se nuk është e drejtë të thuhet ashtu sikurse është përcaktuar në tekst, përkundrazi ajo ka pasur karakter patriotik kundër shtypjeve të huaja.
Mundet që për tani kjo të formulohet në një mënyrë të tillë që të lihet të kuptohet se është duke u studjuar, për të arritur në një vlerësim të drejtë në të ardhëshmen. Për vrejtjet e tjera të Drejtorisë së arsimit jam dakord. Marrë me shkurtime nga Procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike të KQPPSH, 31 janar 1962.
/PatriotikMedia/