Në Kërkim të Origjinës së Sars-Cov-2 – Kur Lakuriqi i Natës bëhet Shok me Pangolinin …

Nga Dr.Enton Kaçulini –

Origjina e Sars-Cov-2 është prej kohësh një debat midis shkencëtarëve të “mirë” dhe atyre të “këqij”. Historia fillon me bashkëpunimin e qeverisë kineze me atë franceze kur në vitin 2004 përurohet Instituti Pasteur i Shangait. Kërkuesit kinezë do të mësonin nga ata francezë, si të përdornin të ashtuquajturit “HIV-1 pseudotipes”.

Këto janë viruse kimerike të cilët kanë bërthamën e HIV-1 dhe në sipërfaqe proteinat e një virusi tjetër, si dhe iu është hequr aftësia të shumohen në qelizë duke i bërë të parrezikshëm. Qëllimi ishte të krijohej një vaksinë kundër Sidës, por kërkuesit kinezë pasi e mësuan teknikën filluan të studiojnë pseudotipet kimerike në lidhje me SARS-in për të kuptuar mekanizmat e hyrjes së virusit në qelizë.

Ndërkohë, edhe ekipi i Shi Zheng-Li në Wuhan fillon të aplikojë pseudotipet HIV-1 tek koronaviruset. Kërkuesja kineze ka shumë studime të publikuara në të cilat fut sekuenca gjenomike të HIV-it në koronaviruse. Punon për vite duke krijuar viruse rikombinantë që kulmojnë më pas në kimerën e studimit të publikuar me Ralph Baric në 2015, të quajtur SHC014-MA15, e cila u konsiderua si fillimi i krijimit të koronavirusit aktual – një studim i financuar nga USAID.

Të parët që e nuhatën faktin se Sars-Cov-2 është një kimerë me sekuenca të HIV-it janë kërkuesit e “Indian Institute of Technology” në Universitetin e New Delhi të udhëhequr nga Prof. Prashant Pradhan. Në studimin e paraqitur me 31 Janar 2020 shkruhet se falë programeve informatike, shkencëtarët kanë qenë në gjendje të konfirmojnë se tek Sars-Cov-2 ka të paktën katër sekuenca gjenomike të virusit të Sidës. Nga ky studim del se struktura e glikoproteinës spike në koronavirusin e ri është e çuditshme, si dhe gjenden katër sekuenca të veçanta dhe unike të kësaj glikoproteine, të cilat nuk janë të pranishme në asnjë koronavirus tjetër dhe janë identike me ato të “gp120” tek HIV-1 (virusi i Sidës).

Pradhan arrin në përfundimin se katër sekuencat e HIV-1 të gjetura në gjenomën e Sars-Cov-2 nuk janë ratësore, nuk janë mutacione natyrale, por janë të futura nga dora e njeriut. Proteina më e rëndësishme e virusit HIV, gp120, lidhet veçanërisht me receptorët Cd4 të pranishëm kryesisht tek limfocitet T4 duke i shkatërruar ato. Nëse Sars-Cov-2 mundet realisht ta sintetizojë këtë proteinë, atëherë shpjegohet limfopenia (ulja e limfociteve T), mbi të gjitha ajo e atyre T4, e cila vërehet në shumë raste kur sëmundja ndërlikohet.

Në vazhdim, Luc Montagnier dhe Jean-Claud Perez konfirmojnë nga ana e tyre se janë futur sekuenca gjenomike të HIV-it në koronavirusin e ri.
Në Shkurt, edhe ekipi kinez i profesor Ruan Jishou, i “Nankai University of Tianjin”, konfirmon që Sars-Cov-2 ka një mutacion gjenik, i cili gjendet edhe tek HIV dhe që ka të bëjë me një afinitet të lartë për furinën: kjo është një karakteristikë unike që e diferencon nga të gjithë koronaviruset e tjerë.

Një tjetër grup virologësh i “Huanzhong University of Science and Technology of Wuhan” e konfirmon studimin e Ruan-it: “gjeni që përmban mutacionin është i ngjashëm me atë të HIV-it në zonën furinike, nuk gjendet në asnjë koronavirus tjetër dhe kjo shpjegon aftësinë e lartë infektuese.”

Po në Shkurt, del një artikull nga Boao Xiao (South China University of Technology) dhe Lei Xiao (Wuhan University of Science and Technology) në të cilin hidhet poshtë historia e tregut të peshkut dhe e kërcimit të virusit nga një specie në tjetrën: “Virusi është krijuar me shumë gjasa në një laborator të Wuhan-it dhe është e nevojshme të përforcohen nivelet e sigurisë së laboratorit me rrezikshmëri të lartë biologjike.” Artikulli e thotë qartë: “lakuriqi i natës nuk ka qenë kurrë burim ushqimi në qytet dhe asnjë lakuriq nate nuk është shkëmbyer në treg.” Artikulli vazhdon: “koronavirusi vrasës e ka origjinën me shumë gjasa nga një laborator i Wuhan-it.” Ky artikull tërhiqet shumë shpejt.

Përsëri në Shkurt, grupi franko-kanadez i Etienne Decroly dhe N. G. Seidah konfirmon praninë zonës me afinitet për furinën që mungon tek të gjitha koronaviruset me përjashtim të Sars-Cov-2.

Pala kundërshtare nuk rri duarkryq. Në Mars, publikohet tek “Nature” një shkrim i cili pa marrë fare në konsideratë studimet e mëparshme, hedh poshtë tezën e studiuesve indianë dhe arrin në përfundimin se Sars-Cov-2 nuk është modifikuar në laborator. Grupi indian detyrohet ta tërheqë studimin e tij për një konflikt të mundshëm interesi. I njëjti problem, ndodh gjithashtu edhe për autorët kundërshtarë që duke dashur të hedhin poshtë tezën e autorëve indianë, në realitet e konfirmojnë atë, sepse pohojnë praninë e sekuencës PRRA (katër aminoacide: prolinë-argininë-argininë-alaninë), që mungon tek virusi i lakuriqit të natës, pangolini, Sars-Cov-1 dhe në SARS-et e lidhura me lakuriqët e natës. Kjo sekuencë ishte e ditur edhe për grupin kinez të Universitetit të Wuhan-it, i cili shkruan:

“Kemi zbuluar që virusi Sars-Cov-2 kishte sekuenca PRRA përsëritëse. Futja e sekuencave PRRA krijon një zonë në të cilën vepron furina (proteazë), enzimë e cila e ndan proteinën spike në dy nënnjësi, S1 dhe S2. Kjo ndarje është e domosdoshme që virusi të shkrihet me membranën qelizore dhe ta fusë materialin e tij gjenetik brenda qelizës në mënyrë që të shumëfishohet. Dhe nga këtu duket aftësia e lartë infektuese. Furina nuk gjendet vetëm në sipërfaqe, por edhe në brendësi të qelizave të shumë sistemeve, gjë që shpjegon pse virusi sulmon organe të ndryshme. Montagnier dhe grupet e tjera të kërkimit kishin të drejtë. Vetë Shi Zheng-Li dhe Ralph Baric, në publikimin e bërë në 2015, pranojnë tërthorazi se proteina spike me afinitet për furinën e rrit virulencën e virusit kimerik.

Komuniteti shkencor dhe media, përkundrazi, e kanë mohuar paturpësisht gjithçka duke gënjyer gjithë botën, kjo me ndihmën e elitës së fuqishme sunduese. Ajo vendos se cila do të jetë e vërteta mbi origjinën e Sars-Cov-2.
Për të zgjidhur çështjen mbi origjinën e virusit të ri futet në lojë Joseph Tritto, urolog, androlog, ekspert mbi bioteknologjitë dhe nanoteknologjitë. Tritto konfirmon pa asnjë hije dyshimi se virusi është fryt i inxhinierizimit në laborator. Sipas versionit zyrtar, Sars-Cov-2 paraqitet si një rikombinim gjenetik ndërmjet koronavirusit të lakuriqit të natës dhe atij të pangolinit si rezultat i një mutacioni natyral.

Tritto argumenton se është pothuajse e pamundur që ndërmjet këtyre dy viruseve të ndodhë një kombinim, sepse kafshët jetojnë në habitate ekologjike të ndryshme, si dhe duhet të gjendet një specie e ndërmjetme në mënyrë që të bëhet rikombinimi natyral (wild) i viruseve, gjë që do një kohë relativisht të gjatë (mbi 200 vjet). Kjo specie e ndërmjetme (që nuk është gjetur kurrë) duhet pastaj t’ia transmetojë njeriut këtë virus rekombinant.

Alternativa tjetër që është akoma më pak e mundshme, do të ishte që dikush të kafshohej nga lakuriqi i natës dhe pastaj nga pangolini (pangolinët nuk dihet që të kenë kafshuar njeri në historinë njerëzore) pasi të ketë shkuar në dy mjedise ekologjike krejt të ndryshme. Të dyja kafshët do të duhej t’i injektonin viruset e tyre këtij fatkeqi, të cilët më pas do të rikombinoheshin në gjakun e tij. Pra evidencat sugjerojnë që Sars-Cov-2 është një kimerë që vjen nga një lloj i virusit të lakuriqit të natës (RaTG13), në të cilin vendi i lidhjes me receptorin e qelizës njerëzore i quajtur RBM (Receptor Binding Motif) në proteinën e tij Spike është zëvendësuar me RBM-në e shtamit viral të pangolinit. RBM e virusit të lakuriqit të natës ndryshon nga ajo e Sars-Cov-2 dhe ka afinitet të ulët për receptorin human ACE-2.

Nga ana tjetër, virusi MP789 (ai tek pangolini) e ka RBM-në me afinitet të lartë për receptorin human ACE-2. Pra, duke mbajtur konfigurimin e proteinës spike të virusit të lakuriqit të natës dhe zëvendësuar RBM-në me atë të virusit të pangolinit, marrim një spike që ka shumë afinitet për ACE-2 human. Kjo teknikë quhet “Gain of Function” dhe është një teknologji e inxhinierisë gjenetike e cila manipulon gjenomën e virusit të pranishëm në natyrë me gjene të viruseve të ndryshme, me qëllim fuqizimin apo krijimin e një funksioni të ri tek virusi. Si rezultat kemi një virus rikombinant kimerik pjesërisht nga lakuriqi i natës dhe pjesërisht nga pangolini gjë që sjell aftësinë e tij për të hyrë në qelizën njerëzore. Pasi hyn në qelizë, virusi duhet të jetë i aftë të shumohet dhe për ta bërë këtë i duhet të përdorë disa nga proteazat e qelizës mikpritëse.

Deri këtu mirë, por çuditërisht në sekuencën gjenetike të proteinës spike rikombinante, ndërmjet zonave S1 dhe S2, siç thamë, është gjetur edhe një sekuencë që nuk është e pranishme as tek virusi i lakuriqit të natës dhe as tek ai i pangolinit. Sekuenca në fjalë (sekuenca PRRA) gjendet vetëm tek virusi i HIV-it dhe ka afinitet për furinën që gjendet me shumicë brenda dhe jashtë qelizës humane. Dhe nuk mbaron me kaq, sepse virusi ka gjithashtu edhe sekuenca të vogla të ARN-së nga virusi i HIV-it që i japin afinitet të lartë për receptorët ACE-2, duke e bërë akoma më patogjen. Të gjitha këto tregojnë se Sars-Cov-2 është një virus HIV-like, dhe këtu lind pyetja: po sekuencat nga virusi i HIV-it nga i mori?

Trito shkruan në librin e tij “Cina, Covid-19”: “Nëse Sars-Cov-2 do të ishte një rikombinim natyral, do të na duhej të mendonim që lakuriqi i natës dhe pangolini kanë bërë një aleancë bashkë për të eliminuar specien njerëzore, duke marrë hua nga një specie tjetër e panjohur, sekuencën me afinitet për furinën”. Konkluzionet e Tritto-s mbi futjen e fragmenteve gjenomike të HIV nuk hidhen poshtë aq lehtë. Duhet të kemi parasysh që Kina është i vetmi vend në botë që nuk ka ratifikuar konventën mbi armët biologjike dhe toksike dhe kjo paraqet një problem të madh për sigurinë botërore.

Mungesa e kontrollit dhe konventës i ka lejuar financuesit privatë nga vende të ndryshme të zhvillojnë kërkime të rrezikshme në Kinë.

Sot mund të analizohen viruset me teknika biomatematike dhe metoda teknologjike të rendit të nanometrit, mund të manipulohen gjenetikisht viruse me metodologji të rafinuara dhe elegante, të cilat janë shumë të vështira për tu zbuluar, por për kovistarët televizivë që llomotisin propagandën e qeverive çdo pandemi apo virus janë natyrale, dhe ne jemi shumë me fat që kemi bigfarmën që na e nxjerr vaksinën, pa shiko, shiko, tamam atëherë kur duhet edhe pse sa më shumë vaksinohesh aq më shumë infektohesh.

Ngelet për të shtruar pyetjen se cilat janë qëllimet e këtyre kërkimeve manipuluese me rrezikshmëri shumë të lartë, të pa rregulluara nga asnjë protokoll bioetik dhe që e vetmja gjë ku mund të përdoren është si armë të shkatërrimit në masë si dhe dominimi i njerëzimit përmes instalimit të diktaturave të cilat shtypin vetëdijen njerëzore.

/PatriotikMedia/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous post VIDEO/Aktivisti i Dardanisë: Ne u Vaksinum me Dozën e Katërt nga i Madhi Zot …
Next post VIDEO/Audiopërgjimi: Plas “Lufta” e Skandaleve midis Kryetarit të Bashkisë Erjon Veliaj dhe Presidentit të FSHF Armando Dukës …
error: Ky publikimet jane te mbrojtura