“Neroni ” i Vogël i Tiranës …
Nga Xhafer Sadiku –
Ata që e njohin historinë e Romës dhe perandorëve të saj, nuk mund të mos heqin paralele në histori duke i krahasuar sunduesit e keq të vendeve të tyre me Neronin.
Një krahasim i tillë do ti shkonte për shtat edhe sunduesit barbar të Tiranës dhe palaços së tij të vogël. Me që ra fjala, lexuesi i këtyre radhëve, mund ta bëjë vet një krahasim të tillë, se do të gjejë pika të përbashkëta të sunduesve të sotëm të Tiranës me tiranin Neron, 1950 e ca vjet më parë.
Neroni, kur u bë perandor (64 të Erës së Re), ishte njeri i mirë dhe në fillim u kujdes për mirëqënien e shtetasve të tij. Por, më vonë do të ndryshonte dhe kjo ndodhi kur gjykata e Romës dënoi një shtetas të tij me vdekje.
Neroni, si perandor, duhej të firmoste vdekjen e tij duke i vënë vulën perandorake dënimit. Pati dilema të mëdha, madje thuhet sikur kishte deklaruar që do të ishte më mirë të mos dinte shkrim. Me gjithë se firmosi për varjen e një krimineli ordiner dhe jo të një poeti, Neronit i erdhi keq. Po … ajo ishte keqardhja e fundit.
Qysh atëhere Neroni u bë i pamëshirshëm dhe në veprimet e tij nuk udhëhiqej nga arsyeja por nga inati. Në ato kushte vrau të ëmën, Agripinën, mësuesin e tij të urtë Senekën, bashkëshorten e tij Oktabianën, si dhe shumë politikanë dhe ushtarakë romakë.
Më pas, ai pendohej se e vriste ndërgjegja.
Natyrisht, neroni i vogël i Tiranës nuk i ka bërë vrasje të tilla, vetëm flitet sikur i ka poshtëruar të afërmit e tij, madje edhe në gjyqe. Edhe servilët e tij nuk i ka vrarë, por i shfrytëzon sa i duhen dhe i hedh në kosh të plehrave.
Rrëmbimi dhe inati e frymëzoi Neronin me idenë e marrë për ti vënë zjarrin Romës, me mendimin se do ta rindërtonte më të mirë. Ai i dha urdhër një besniku të vet ti vinte zjarrin Romës së bukur e të pasur. Besniku i tij ishte një lloj palaço si ky palaçua i sotëm i Tiranës.
Kur zjarri përfshiu në të katër anët kryeqytetin, Neroni u ngjit në një kodër mbi Romë dhe i binte kitarës. “Neroni” i vogël i Tiranës e sodit Tiranën nga kodrat e Surrelit duke bërë ndonjë pikturë pa asnjë vlerë.
Kur populli po pëshpëriste se zjarrin ia kishte vënë Neroni, ai ua hodhi fajin të krishterëve dhe filloi mbi ta persekutime masive. Tirani i vogël i Tiranës ua hedh fajin opozitarëve dhe i persekuton pa mëshirë.
Neroni gjeti vdekjen prej antarëve të partisë së tij, të quajtur kombëtarë. Me gjithë se e lanë në pushtet vetëm katër vjet, ato ishin mjaft për të shkatërruar Romën dhe kundërshtarët e tij të krishterë, të cilët i masakroi, u prishi banesat dhe i dëboi nga qyteti.
“Neroni” i vogël i Tiranës ka 22 vjet që sundon duke i fshirë Tiranës gjurmët e trashëgimisë historike dhe kulturore. Ai dhe palacua i tij kanë lënë mijëra qytetarë pa banesa se ua prishën dhe ka dëbuar nga atdheu qindra-mijëra shqiptarë.
Por, ndryshe nga partia kombëtare në Romë që e ekzekutoi Neronin, lakejtë e neronit të vogël të Tiranës duan ta mbajnë mbi shpinë për inat të njerëzve të lirë. A do të ulin kokën shqiptarët liridashës përballë shpatës së neronit të vogël të Tiranës?!
/PatriotikMedia/