
Investigim i Gazetarit: 10 arritjet e Edi Ramës në 10 vjet në qeveri …
Nga Hysni Gurra –
Edi Rama është në vitin e 10 në krye të qeverisë dhe është koha për një bilanc të shpejtë se çfarë ka premtuar dhe çfarë ka realizuar.
1-Ndërtimet pa leje;
Pa nisur punë në shtator të 2013-ës, Edvin Rama hapi një portal stopndërtimevepaleje ku ftonte qytetarët të denonconin. Media bëri shumë lajme sepse brenda pak ditëve u postuan qindra denoncime. 10 vjet më pas, ndërtimet pa leje bëhen sërish por, me “leje” të Edi Ramës.
2-Korrupsioni;
E mbani mend që Shqipëria me Edi Ramën kryeministër ka patur një ministër Antikorrupsioni dhe një portal të ri të quajtur stopkorrupsionit.al? Me siguri e mbani mend të gjithë. E mbani mend se si Edi Rama me zë dhe figurë premtoi se renditja e Shqipërisë sa i përket korrupsionit do të varej nga puna e qeverisë? Sot është fakt se Shqipëria është vendi më i korruptuar në Evropë dhe kjo jo sipas akuzave politike, por sipas renditjes së Trasnparency International. Mjafton vetëm një rast “Incineratorët” një akt kriminal që ja kalon fantazisë së skenaristëve të Netflix për të thënë që nuk kemi të bëjmë me qeverisje por me mafie.
Bashkohuni me Patriotik Media Telegram Chanel këtu: https://t.me/patriotikmedia
3-Uji 24 orë;
“Mbaj shënim Fevzi, me dy gjëra do të merrem unë personalisht dhe nuk ka asnjë justifikim. Brenda mandatit të parë do të ketë jo vetëm ujë të pijshëm, por edhe ujë për vaditje në bujqësi dhe do të marrë fund historia e legalizimeve”. Kjo fjali është shkëputur nga intervisa në Klan me Blendi Fevziun gjatë fushatës elektorale të 2013. Sot gjithkush është dëshmitarë që vetëm është rritur çmimi i ujit, por për ujë 24 orë as në ëndërr nuk e sheh kush.
4-Legalizimet;
“Enver Hoxha të ngrihet nga varri”- nuk ju prish njeri shtëpitë- premtonte Edi Rama me zë dhe figurë. Do të merrte hipotekat. Etj etj etj. 10 vjet më pas, bilanci është i qartë, sidomos për banorët e Astirit, banorët e 5 majit, se çfarë ka ndodhur. Përveç kësaj, me ligjin për “investitorët strategjikë”, preket edhe shenjtëria e pronës. I merret prona tjetrit se ka ndër mend të emërojë “kapitalistë” të rinj njeriu që premtonte se nuk do të prek kush shtëpitë e tyre.
5-Kanabisi;
Historia e kanabisit është për të qeshur dhe për të qarë. E mbani mend “ministrin kampion Tahiri” dhe aksionin e famshëm në Lazarat. Por besoj e mbani mend edhe 2016-2017 dhe tani 2022 se si është kanabizuar vendi. Për më tepër tani e ka ‘avancuar’ luftën ndaj kanabisit, kërkon edhe legalizimin e tij.
6-Lojërat e fatit;
Kur ndaloi lojërat e fatit, citoi Biblën, Kuranin, Toran dhe sot kërkon t’i legalizojë sërish sepse “është njeri që dëgjon grupet e interesit”. Këtu fjalët janë të tepërta. Burri njërherë flet.
7-Energjia;
10 vjet më parë bubullonte kundër faturës me dy fasha. Sot thotë që do të përdoren dy fasha. Rriti çmimin e energjisë më 2014, futi njerëz në burg për 2 miljë lekë fatura të papaguara dhe ka një vit që ngjall panik me energjinë. Jo çmimi në bursë kaq, jo çmimi në bursë aq.
8-Shëndetësia;
Pandemia dhe fshehja e mijëra të vdekurve nxorri zbuluar “shëndetësinë falas” të Edi Ramës. Ata që kanë mbetur gjallë e mbajnë mend shumë mire se sa kanë paguar për t’u vetëmjekuar në vendin që terrorizohej deri edhe tanke nga njeriu që fliste vetëm për luftë dhe vdekje. Kush është sëmurë dhe i është drejtuar spitaleve publike e ka shumë të qartë se “shëndetësinë e kemi vërtet falas”, por kushton ca.
9-Rrogat dhe çmimet;
Në 10 vjet inflacioni ka ngrënë rrogat e shqiptarëve, sidomos të atyre që punojnë në sektorin publik. Kriza e fundit po detyron shqiptarët të ikin nga sytë këmbët. Qartësisht shqiptarët jetojnë në kushte më të këqija se para 10 viteve.
10-Drejtësia;
Këtu i duhet hequr kapelja. Me marifet dhe shumë ndihmë qorre nga dashamirësit e Shqipërisë, Edi Rama pasi e shkërmoqi drejtësinë me “reformën në drejtësi” ka kapur për fyti institucionet e reja dhe as 20 vite nuk kemi më shpresë se do të ketë drejtësi. Jo drejtësi, por tani nuk ka më as gjykata, as prokurori, as noteri. Ndërkohë do të vijojmë të dëgjojmë përrallën e “suksesit të reformës në drejtësi”.
Të gjitha këto arritje të Edi Ramës në vitin e 10 të qeverisjes, nuk do të ishin të mundura pa ndihmën në fillim të ish LSI-së dhe entuziazmit të njerëzve që mendonin se “ky do të bëj ca gjëra të mira”. Por sigurisht për gjithë këto probleme të krijuara ka edhe fajtor.
Miqtë tanë, që i paçim për jetë, mendojnë se për gjithçka që kam renditur më sipër, “fajin e ka Saliu”. Dhe nëse gjendja përkeqësohet, se siç duken bathët drejt përkeqësimit do të shkojë, ta rishpallim edhe njëherë non grata Saliun, të bëjmë një ligj për të nxjerrë nga politika Ilirin dhe atëherë po, Edi Rama do të nisë reformat dhe do të realizojë një më një zotimet që ka bërë 10 vjet më parë. Sepse ata që e njohin mire thonë se Edi Rama është burrë dhe e mban fjalën.
/Stopfake.al/