Rivaliteti mes Ramës e Veliajt nuk ekziston …

Nga Hysni Gurra –

Gjithmonë e njëjta skemë; Veliaj po kërkon t’i zerë vendin Ramës ose Rama do t’ia lerë partinë Veliajt.
Kush ka qenë i vëmendshëm për karrierën e këtyre dy personazheve politik, e kupton se nuk ka gjasa të ndodhë as njëri, as tjetri variant edhe për shumë kohë.

Partia Socialiste e para viti 2005 ka vdekur. Vdiq në vitin 2009, kur Rama i cili kishte vënë vetë në statut dorëheqjen e kryetarit në rast humbje, e shkeli këtë nen.
Qysh nga 2009 e këtej Edi Rama nuk ka pas më asnjë rival në atë parti, dhe kjo u vulos me burgosjen e Saimir Tahirit.

Bashkohuni me Patriotik Media Telegram Chanel këtu: https://t.me/patriotikmedia

Nëse do duhet një analogji për këtë çift politik, ngjan shumë me çiftin Enver Hoxha – Ramiz Alia.
Erion Veliaj stërvit trurin gati gjithë ditën e ditës që një gjë e tillë mos t’i shfaqet as në ëndërr, jo më ta mendojë ditën për diell t’i marrë partinë Edi Ramës, aq më keq ta shprehë këtë, qoftë edhe me njeriun e tij më besnik.
Veliaj e njeh shumë mirë Ramën, saqë, në rast mendimesh e dëshirash të kundërta me të, zvarritet me javë të tëra për ta bindur se s’ka as dëshira, as mendime.
Ai e lejon Ramën ta urdhërojë, ta komandojë, njëlloj si të gjithë servilët e tjerë të përulur të epokës Rama në PS.
Vetëm një ndryshim ka Veliaj me të tjerët; kur merr urdhër për të dhënë një leje ndërtimi, për të lejuar një ndërtim pa leje ose për të mos dhënë një leje, të cilat vetë nuk i miraton, ai, ose i njofton fshehtas palët e treta (media, ndërtues…), ose, kur ata duhet të “dënohen” me patjetër, e përmend gjithandej që kjo gjë po ndodhte jo me deshirën e tij, por me urdhërin e prerë të Ramës. Këtë ai nuk e bën prej ambicies për t’i marrë partinë Ramës, e bën thjeshtë se e ka natyrë, si akrepi.
Sa më absolut që sillet Rama, i cili po bëhet gjithnjë e më i ngjashëm me Enver Hoxhën, aq më i sjellshëm dhe bujar tregohet Veliaj.

Kështu, pa folur asnjë fjalë kundër Ramës, vetëm me ndonjë aluzion të lehtë, me një buzëqeshje, ose me heshtjen e tij, duket sikur herë pas here ai arrin të krijojë i vetëm fare, një opozitë të dukshme brenda PS, e njëkohësisht krejt të pakapshme kundër sundimtarit.

Kjo në fakt nuk ekziston fare. Por duke qenë se njerëzit janë mësuar të shohin një PS me fraksione e me zëra të fortë autoritarë veç kryetarit, është bërë një nevojë aq jetike kjo sa sjelljet e natyrshme të Erionit u krijojnë iluzione njerëzve.

Veliaj nuk ia thotë kurrë ca të vërteta Ramës në sy: ai e di që sundimtarëve, edhe nëse ata dikur quheshin i pari midis të barabartëve, nuk u pëlqen një gjë e tillë.

Nëse do ta marrim të mirëqenë, Rama dhe Veliaj vijnë të dy nga e njëjta filozofi politike, ajo liberale majtiste e sponsorizuar nga Soros, por që sjellja politike që adopton Rama ngjan më shumë me Erdoganin, Orbanin, filozofi politike krejt tjera.

Të dy janë njëlloj, gjakftohtë e të pa skrupullt për çështje parash apo pushteti.

Këta dy njerëz vazhdimisht janë ‘ndeshur’ në të njëjtën skenë të politikës shqiptare. Këta dy aktorë në rolet e tyre të karakterit të lëkundshem të veshur herë si shoqëri civile, herë si socialistë të thekur, herë si ultra liberalë, herë si shërbëtorë besnikë të Sorosit: Dhe pikërisht, sepse i përkasin së njëjtës racë shpirtërore dhe luajnë të njëjtin rol politik, ata e urrejnë njëri-tjetrin me ftohtësinë e profesionistëve dhe me mllefin e fshehtë të rivalëve.

Por njëri nuk ka asnjë shans ta shprehë këtë, dhe ai është Veliaj. Ashtu siç Ramizi nuk e shprehu kurrë.
Ata i përkasin të njëjtit tip për nga morali; por nëse ngjashmëria u vjen nga karakteri, ndryshimi u vjen nga prejardhja e tyre.

Rama vjen nga nomenklatura e lartë e PK, dhe e quan veten trashëgimtar prej gjaku të PS, Veliaj, djali varfanjak që shiste fiq për të mbijetuar, kur ishte ende një adoleshent i ‘mjerë’ dhe i përbuzur, për disa kacidhe në muaj, ka bredhur ambasadë më ambasadë e ojf më ojf.
Kur Veliaj rrekej të fitonte me servilizma ndonjë gjë në kohën e Nanos, Rama kishte zbritur në fushë si sfidanti për partinë.
Rama dhe Veliaj kanë ardhur në PS nga lart, si zotërinj, me karrocën e tyre, duke zbritur disa shkallë deri te shtresa e socialistëve të thjeshtë, të parin e zbriti Ruçi me shokë, të dytin e zbriti i pari.
Nga kjo ngjashmëri prejardhjeje, tipari i tyre kryesor i përbashkët merr një nuancë të veçantë. Rama, duke qenë se pretendon që ka gjak ‘mavi’, me sjellje të holla dhe teka të mëdha, e kryen detyrën me mospërfilljen e ftohtë të një zotërie të madh, ndërsa Veliaj me zellin lajkatar të një nëpunësi dinak dhe ambicioz.

Ajo që i bën aq të ngjashëm i bën njëkohësisht edhe të dallohen nga njëri-tjetri dhe, nëse të dy i kanë shumë qejf paratë, Rama i do ato me tabiatet e një hokatari, t’i bëjë rush e kumbulla, Veliaj, si muzhik, kënaqet t’i bëjë paratë kapital, të marrë fitime për një interes politik afatgjatë.

Nuk ka asnjë dyshim që Veliaj ka dëshirë të zjarrtë të jetë pasardhës i Ramës. Po s’ka asnjë dyshim gjithashtu që, nëse ka një njeri mbi këtë tokë që e di se s’mund t’ia marrë akoma partinë atij, ky është Veliaj.
Të marrësh partinë duhet të kesh disa komponentë:
1-Kapacitet intelektual dhe të jesh në gjendje ta sfidosh sundimtarin në diskursin publik.
-Rama është akoma mbi Veliajn këtu.
2-Të kesh mbështetje në bazën e partisë.
-Të gjithë e dinë që një pjesë e madhe e bazës ka akoma alergji nga Lali.
3-Duhen para.

-Veliaj ka para, por jo aq sa për të sfiduar Ramën.

Prandaj, Veliaj është shumë i kujdesshëm, sa herë e kupton që ambicia i ka dalë jashtë kontrollit, ai bën shmangie të guximshme, të kuptuarit e rrufeshëm e ndihmon të marrë kthesat e shkathëta në çaste rreziku, ky është talenti i tij, nëse mund ta themi që ka të tillë.

Nga kjo dashuri ndaj minimumit, ndaj formës më të përqëndruar të lojës së trurit, rrjedh edhe aftësia e tij e veçantë për të sajuar, aty për aty, gjithfarë fjalësh, shakarash dhe aforizmash që lidhen direkt me kultin e sundimtarit.

Veliaj punon si një milingonë e kujdesshme e gjithë zell, grumbullon në mijëra skuta, vrojtime të panumërta, pastaj i sistemon ato,i kombinon dhe del me mendime të sigurta kur flet në publik.
Rama dhe Veliaj kanë një neveri reciproke për njëri-tjetrin, e cila rrjedh nga njohja e thellë, instiktive e njëri-tjetrit.

Ky çift i habitshëm i shërben gjithkujt, përveç socialistëve të thjeshtë. Por sundimtari është absolut, dhe ai është Rama.

Ramën e vëretë deri tani duket nuk e ka njohur tamam askush, as socialistëve nuk u kishte shkuar mendja se ajo parti do bëhej ‘pronë’ e tij.

Për ta mbyllur, këtë diskurs publik, për shpërfaqjen e një rivaliteti mes Ramës e Veliajt, ose e nxisin ata vetë, ose vjen thjesht si nevojë e si thirrje e dëshpëruar për thundrën nën të cilën ka rënë Partia Socialiste e Shqipërisë.

Por Veliaj mund t’ia marrë partinë Ramës aq sa ia morën Mehmeti, Kadriu etj Enverit.

/Stopfake.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous post EKSKLUZIVE: Doktori shpjegon se çfarë thonë gishtat e kuq dhe të fryrë të mbretit Charles për shëndetin e tij …
Next post Revolucionarët Profesionistë të Sorosit …
error: Ky publikimet jane te mbrojtura