
Si i mohonte Ambasadori amerikan përfshirjen e tij nga financimet e Soros në Shqipëri …
Ish-ambasadori amerikan Donald Lu e ka mohuar çdo përfshirje në një skemë financiare të supozuar të George Soros për të ndihmuar qeverinë e majtë të Shqipërisë dhe reformën e saj në drejtësi.
Komentet e Lu erdhën disa ditë pasi grupi mbikëqyrës konservator Judicial Watch publikoi materiale se miliarderi amerikan George Soros financoi aktivitetet politike të krahut të majtë në Shqipëri dhe la të kuptohet për lidhje të mundshme me Ambasadën e SHBA në Tiranë. Grupi konservator tha se paratë prej 9 milionë dollarësh të George Soros u përdorën për t’i dhënë qeverisë socialiste të Shqipërisë ‘kontroll të plotë mbi gjyqësorin’.
Të dhënat e reja të publikuara nga Judicial Watch përfshijnë një memo të prillit 2016 nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë që zbulon se ambasada “sponsorizoi” një sondazh së bashku me Fondacionin e Shoqërisë së Hapur të Soros për të matur “njohurinë, mbështetjen dhe pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për reformën në drejtësi”.
Duke folur për Zërin e Amerikës, ambasadori i SHBA në Shqipëri, Donald Lu mohoi çdo përfshirje në ndonjë skemë të financuar nga Soros dhe tha se SHBA mbështet reformën në drejtësi në Shqipëri si një çështje e interesit kombëtar.
“Kritikët e reformës në drejtësi i kanë identifikuar veprimet e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë si të frymëzuara nga Soros, megjithëse ne nuk ofrojmë asnjë financim për Fondacionin e Shoqërisë së Hapur dhe as nuk pranojmë asnjë financim nga OSF. Kur Shqipëria të ketë një sistem të pastër drejtësie, do të jetë një aleate më e fortë në NATO dhe më afër integrimit në BE”, – i tha Lu Zërit të Amerikës.
Ambasadori amerikan ka qenë nën kritika të rënda nga opozita shqiptare për ‘mbështetjen e njëanshme’ ndaj qeverisë aktuale socialiste të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Shqipëria është një nga vendet më të korruptuara të Evropës dhe vitin e kaluar vlerësoi 38 nga 100 pikë në indeksin global të perceptimit të korrupsionit të Transparency International./Ripostim/
/Stopfake.al/